Ka nisur hedhja e insektit që lufton “grenxën e zezë” në plantacionet me gështenja në Shkodër. Pas një studimi të përbashkët me Universitetin Bujqësor të Tiranës, është gjetur forma efikase për luftimin biologjik të këtij dëmtuesi, përmes një insekti të krijuar në kushte laboratorike në laboratorë të çertifikuar europianë.

Zv.ministri i Bujqësisë, Roland Kristo ishte në zonën e Reçit ku kanë nisur të hidhen insektet e para, proces i cili do të vijojë derisa të mbulohet në këtë fazë të parë rreth 450 Ha. Kjo është hera e parë që kryhet ky proces në vendin tonë.

“Sot ishim në lëshimin e një lloj insekti që lufton grenxën, që vitet e fundit ka shkaktuar dëme të shumta tek gështenja në Shqipëri. Është blerë një insekt i cili lufton në mënyrë efikase dëmtimin e gështenjës. Përjashton përdorimin e pesticideve ose formave të tjera që kanë efekte jo shumë të ndjeshme. Kultura e gështenjës është shumë e rëndësishme për ekonominë e kësaj zone. Aktualisht si fazë e parë Ministria do të mbulojë rreth 450 Ha. Më vonë do të zgjerohemi në rreth 1 mijë Ha, si dhe do të zgjerohemi në zona të tjera”, tha Kristo.

Kultura e gështenjës në zonën e Shkodrës është ndër më të rëndësishmet për ekonominë lokale. Eksportet e gështenjave “Made in Albania” arrijnë çdo vit në mbi 6 mijë tonë, me një vlerë rreth 8 milionë euro. Pjesa më e madhe e prodhimit eksportohet në Itali, ku dhe përpunohet. Ndërkohë që kërkesa në rritje e tregut të huaj për këtë produkt, e ka kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren me këtë aktivitet. Zona veriore e vendit, Tropoja, ka hapësirën më të madhe të mbjellë me gështenja në gjithë Shqipërinë.

Artikulli paraprakSHKATËRRIMI I BANDËS ITALO-SHQIPTARE QË ÇOI NË ARRESTIMIN E 17 PERSONAVE E SEKUESTRIMIN E 4 TON DROGË, POLICIA E SHTETIT JEP DETAJET
Artikulli tjetërAKSIONI PËR SHEMBJEN E NDËRTESAVE NË VELIPOJË, BANORËT: DUAM VENDIM PËR PRISHJEN E OBJEKTEVE