Kampionat i ri, rregullore e re, rezultat i njëjtë.

Mercedes rinis aty ku e la vitin e kaluar, duke dominuar provat zyrtare në Formula 1. Leëis Hamilton, kampioni i Botës në fuqi, mori “pole positon” e parë për vitin 2016-të duke ndalur kronometrin në kohën 1 minutë 23 sekonda e 800 të mijtat. Ritmin e britanikut e mbajti vetëm shoku i skuadrës Niko Rosberg, i cili regjistroi kohën e dytë më të shpejtë duke plotësuar linjën  parë të nisjes tërësisht Mercedes.  Pas tyre u renditën dy makinat e kuqe të Ferrarit. Sebastian Vettel do të fillojë garën e Australisë në vendin e tretë, përpara shokut të tij të skuadrës Kimi Raikkonen.  Nuk kanë treguar ndonjë përmirësim dy pilotët e skuadrës McLaren, Fernando Alonso dhe Jenson Baton, të cilët u renditën respektivisht në vend të  12 dhe të 13-të.  Çmimi i Madh i Australisë do të zhvillohet mëngjesin e së dielës dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në Top Channel duke filluar nga ora 05:50. Botërori i Formulës 1 të këtij viti mund të quhet fare mirë kampionati i risive, kjo për shkak të disa ndryshimeve që janë bërë, ku kryesori është ai i formatit të provave zyrtare. Këtë vit, kualifikueset në Formulën 1 nisën me sistemin e eliminimit. Në të 3 minisesionet, pilotët më të ngadaltë do të skualifikohen çdo 90 sekonda.  Tjetër risi e këtij sezoni në Formula 1 është përdorimi i gomës super të butë, që do të ketë shirit me ngjyrë vjollcë. Këtë vit, në total çdo pilot do të ketë në dispozicion 13 sete gomash, por kombinimet do të jenë të ndryshme.  Kalendari i këtij viti do të jetë më i gjati, pasi do të zhvillohen 21 gara, ku të bie në sy rikthimi i Çmimit të Madh të Gjermanisë në Hokenhajm dhe debutimi i garës së Azerbajxhanit në Baku.

Artikulli paraprakNË 67 VJETORIN E NDARJES NGA JETA TË AT VINÇENS PRENDUSHIT
Artikulli tjetërPLAGOSJE ME THIKE NE SHKODER, POLICIA IDENTIFIKON AUTORIN