Kompania e transportit urban në qytetin e Shkodrës ka marrë masa për lehtësimin e trafikut.
Në një hapësirë prej 5000m2, linjat e transportit kombëtar dhe ndërkombëtar do të kenë mundësi që të bëjnë ndalesën, ndërsa qytetarëve do t’u ofrohen shërbime shtesë të transportit urban. Shoferët e autobusëve që tashmë kanë filluar të përdorin këtë vend-parkim shprehen se kjo hapësirë po i ndihmon që të mos krijojnë kaos në rrugët e qytetit.
Kjo hapësirë e ndërtuar gjatë muajve të fundit pritet të shërbejë edhe për stacionimin e autobusëve të transportit urban në qytet. Muajt e ardhshëm është parashikuar që në këtë zonë periferike të ofrohen gjithashtu bileta elektronike për përdoruesit e btransportit urban.
Po ashtu, parkingu do të shërbejë si një pikë nisje për shëtitjet e turistëve në disa prej zonave kyçe të qytetit të Shkodrës. Deri tashmë, një pjesë agjencive që sjellin turistë nga Evropa Juglindore kanë filluar të përdorin si pikë ndalimi këtë zonë duke shmangur kështu edhe radhët e gjata dhe kaosin në qendër të qytetit.