Në Pejë ka nisur ceremonia zyrtare e cila i paraprin mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe a Shqipërisë.

Axhenda

10.15 -Ceremoniali

10.30 -Fjalët e kryeministrave në mbledhjen e përbashkët

12.00 -Nënshkrimi i marrëveshjeve

13.30-Deklaratat per shtyp

Në fokus Romingu dhe dogana

Pas zotimit për unifikimin e doganave, Kosova dhe Shqipëria pritet të aprovojnë edhe kërkesën e kahershme të Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës së shërbimit të romingut, në kuadër të telekomunikimit ndërmjet këtyre dy shteteve.

Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet në mes qytetarëve.

Tarifa e Romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Për heqjen e tarifave të romingut në muajin qershor edhe Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë të veçantë.

Ekspertë të fushës së telekomunikimit dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se marrëveshja për heqjen e romingut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është në dobi të qytetarëve dhe bizneseve.

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive që do të mbahet në Pejë ka edhe koston financiare. Për këtë takim Qeveria e Kosovës ka aprovuar shumën prej 128 mijë eurosh, që sipas ekspertëve të ekonomisë konsiderohet shumë e lartë.

Ndryshe, ky do të jetë takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës në Shqipëri.

Artikulli paraprak‘SHTËPITË S’DO PRISHEN EDHE SIKUR TË NGJALLET ENVERI’, BASHA PUBLIKON SËRISH VIDEON E RAMËS: GËNJEN DHE MOHON VETEN
Artikulli tjetërRAMA MESAZH TË FORTË PËR KOSOVËN: TË ZHGËNJYER NGA BE-JA