Nis monitorimi ‘non stop’ nga Policia e Kufirit kundër trafikut të drogës
Pas gjetjes së sasive të ndryshme të drogës në bregdetin e Durrësit, kryesisht në zonën e Kallmit në pjesën ujore Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit ka hartuar një plan të gjerë masash për kontrollin dhe bllokimin e trafikut të drogës. Altin Merizaj nëndrejtor nga Drejtoria e Kufirit dhe e Emigracionit në Durrës tha se është ngritur një grup monitorues, në bashkëpunim me forca të tjera të specializuara të policisë së shtetit për të vënë në kontroll të gjithë rajonin kufitar, që mbulon kjo drejtori nga Durrësi si dhe në pikat e kontrollit kufitar. Në takimin e komiteti antitrafik, për këtë problematikë të zhvilluar në Prefekturën e qarkut të Durrësit është bërë me dije se monitorimi i hapësirës bregdetare do të jetë i vazhdueshëm dhe pa ndërprerje. Në takim është folur në detaje edhe për planet e punës policore për eliminimin e futjes në vend të farërave të hashashit dhe po bashkëpunohet me SHKB –në dhe institucionet e tjera për parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike.