Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita ka nisur sot protestat për të vënë në zbatim aksionin për mosbindje civile të shoqëruar me bllokimin e katër akseve kryesore rrugore.
Deputetët e opozitës dhe qytetarët protestojnë kundër rritjes së vazhdueshme të taksave. Protestuesit kanë bllokuar rrugën dytësore në Vorë, aty ku merr pjesë edhe kreu i PD, Lulzim Basha si dhe deputetë te tjerë të Tiranës.
Protesta e sotme nis në orën 10:00 dhe përfundon në orën 13:00, ndërsa akset e bllokuara nga protestuesit do të jenë: rrethrrotullimi i Bradasheshit për Lindjen, rrethrrotullimi në Çerme për Jugun, rrethrrotullimi Milot për Veriun, në Vorë për Shqipërinë e Mesme.
Ndërkohë Policia e Shtetit thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim ligjor për tubime dhe përgjegjsit do përballen me ligjin.
“Policia e Shtetit nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën dhe mbështetur në ligjin “Për tubimet”, nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve.
Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cënim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë.
Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve”- thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.