Nis trajnimi i komisionerëve, KQZ apel partive të bëjnë propozimet
Nga nesër Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të fillojë zbatimin e skemës së trajnimit, e cila i është vënë në dispozicion të gjitha KZAZ-ve, partive politike që propozojnë anëtarët e KQV-ve dhe misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it. KQZ ndryshe nga vitet e tjera, ka parashikuar që trajnimi do të zhvillohet në oraret e pasdites, 16.00-18.30, me qëllim për të shmangur pengesat për të marrë pjesë në trajnim. Trajnimet do të zhvillohen në ambjentet e shkollave, gjë e cila u arrit në sajë të bashkëpunimit të suksesshëm me Ministrinë e Arsimit. Zëdhënësja e KQZ tha se ka një reflektim të partive pas apelit të një dite më parë. Hoxhaj: “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ndjek në dinamikë situatën sa i përket emërimeve të anëtarëve të KQV. Pas apelit të një ditë më parë, ka reagim pozitiv nga ana e partive politike, por ende vijojmë të kemi KZAZ pranë të cilave nuk janë depozituar propozimet komisionerë të QV-ve”. KQZ ripërsëriti apelin për partitë politike që të dorëzojnë brenda ditës së sotme të gjithë propozimet për komisionerët e Qendrave të Votimit pranë KZAZ-ve përkatëse. Njëkohësisht apeli shkon edhe për komisionerët, të cilët pjesëmarrjen në trajnim e kanë detyrim të ngarkuar nga Kodi Zgjedhor.