Kreu i Shtetit shqiptar ka uruar Presidentin e ri të Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.
“Jam i bindur se nën lidershipin tuaj, Parlamenti Evropian jo vetëm që do të kontribuojë në adresimin me sukses të sfidave aktuale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe qytetarët e saj, por do të vijojë t’i japë një mbështetje thelbësore procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor”, shprehet në urim Nishani.
“I nderuar Zoti President, Zgjedhja juaj në postin e Presidentit të Parlamentit Evropian, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme. Jam i bindur se nën lidershipin tuaj, Parlamenti Evropian jo vetëm që do të kontribuojë në adresimin me sukses të sfidave aktuale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe qytetarët e saj, por do të vijojë t’i japë një mbështetje thelbësore procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Integrimi evropian mbetet objektivi strategjik më madhor për Shqipërinë dhe Ju siguroj se institucionet shqiptare janë të angazhuara për përmbushjen në një kohë sa më të shkurtër e me sukses të prioriteteve kyçe dhe standardeve të nevojshme që do t’i mundësojnë vendit hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian. Mbështetja Juaj dhe e Parlamentit Evropian janë thelbësore në këtë proces. Me dëshirën për t’ju takuar në një rast sa më të afërt, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Gjithashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka përcjellë urimet nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook.
“Sot i përcolla urimet e mia Antonio Tajanit, Presidentit të sapozgjedhur të Parlamentit Europian. Z. Tajani është jo vetëm nënkryetar i Partisë Popullore Europiane, ku bën pjesë Partia Demokratike, por edhe një mik i jashtëzakonshëm. Si Zëvendës President i Komisionit Europian dhe Komisioner i BE-së ai ka mbështetur përherë përpjekjet e Shqipërisë për zhvillim ekonomik. Jam i lumtur për zgjedhjen e tij në krye të Parlamentit Europian që do të më japë mundësinë të punojmë së bashku për të çuar përpara integrimin e Shqipërisë në BE”.