Nishani-Ivanovit: Transferimi i krizës politike në etnike, me pasoja
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani i ka deklaruar homologut maqedonas Gjorgje Ivanov, se përpjekja për të transferuar krizën politike në atë etnike mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë. Nishani ka shprehur shqetësimin për situatën e përgjithshme politike dhe marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se, Shqipëria asnjëherë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe aq më pak të vendeve fqinje. Lidhur me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Presidenti Nishani theksoi se ata janë një faktor shtetformues dhe Shqipëria do t’i mbështesë në kërkesat e tyre legjitime për respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Deklaratat e tij u bënë gjatë takimit në Baku të Azerbajxhanit ku po zhvillohet Forumi i 5-të Global, ku midis të tjerash, Nishani takoi edhe Presidentin e Maqedonisë. Gjatë takimit me Presidentin e Azerbajxhanit Aliyev, Nishani ka vënë theksin tek gazsjellësi TAP, ndërsa ka kërkuar thellim të bashkëpunimit midis dy vendeve. Nishani: Projekti i gazsjellësit TAP po zbatohet me shumë sukses në pjesën e territorit shqiptar dhe do të hapë perspektiva të tjera bashkëpunimi mes dy vendeve, me mundësi shtrirjeje më pas edhe në vende të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në takimin me Presidentin e Gjeorgjisë, zotin Giorgi Margvelashvili u bisedua për forcimin e marrëdhënieve të përbashkëta, bazuar në vizionin, vlerat dhe interesat e përbashkëta, ku një vend të veçantë zuri interesi për çështjet e sigurisë në rajonet ku dy vendet bëjnë pjesë. Gjatë pjesëmarrjes në Forum, Presidenti Nishani shkëmbeu biseda të shkurtra dhe me një numër homologësh apo pjesëmarrësish me reputacion ndërkombëtar në këtë aktivitet.