Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh, në të cilin shpreh urimet më të mira në emër të popullit shqiptar për fitoren historike të Presidentit të 45-të të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Më poshtë mesazhi i plotë:
“I nderuar Zoti President i Zgjedhur, Zgjedhja Juaj si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep mundësinë dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të mira për fitoren tuaj historike. Më lejoni, Zoti Trump që me këtë rast, të shpreh besimin tim, se niveli i shkëlqyer dhe lidhjet e forcuara në vazhdimësi që kanë karakterizuar marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-së, gjatë Presidencës Suaj, do të pasurohen dhe do të zhvillohen më tej, në të mirë të dy popujve tanë miq. Shqiptarët u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e madhe, veçanërisht në momentet tona historike më të vështira, si edhe për inkurajimin e vazhdueshëm për forcimin e demokracisë në vend dhe zhvillimit të tij. Ndaj dhe dëshiroj t’Ju siguroj, Zoti President, për miqësinë e pakushtëzuar të popullit shqiptar, i cili ka parë të mishëruar ndër vite te kombi i madh amerikan vlerat e respektimit të lirisë e të demokracisë si dhe ‘ëndrrën amerikane’, – simbolin universal të mundësive dhe realizimeve pakufi. Duke Ju uruar edhe një herë fat të mbarë dhe suksese në misionin tuaj të rëndësishëm dhe me përshëndetjet më të ngrohta e miqësore, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President i Zgjedhur, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”