Për Nishanin, PAMECA ka dalë nga misioni i saj që i është ngarkuar nga Bashkimi Europian, ndaj kreu i shtetit kërkoi të merren masa nga autoritetet përgjegjëse.
Nishani, ka folur për rikthimin në Kuvend të ligjit të mbetjeve, për të cilin tha se qytetarët duhet të shprehen me referendum. Presidenti ka komentuar edhe situatën e mbjelljes së kanabisit, duke thënë se duhet angazhim serioz, që situata “mos të na dalë nga duart”. Ja deklarata e plotë e Presidentit “Nuk di nëse projekti do të pësojë ndryshime në të ardhshmen, por projekti në fjalë duhet patjetër, në këtë diferencë të madhe qëndrimesh që ka mes maxhorancës në Parlament dhe qytetarëve dhe opinionit publik, duhet të shkojmë drejt zgjidhjes përmes shprehjes referendare dhe kjo është plotë- sisht e mundur. Nga ana tjetër, unë besoj se ligji ka nevojë për disa ndërhyrje shumë esenciale, të cilat duhet të garantojnë në fund të fundit opinionin publik që importi i mbetjeve nuk do të keqpërdoret, nuk do të ndikojë aq më tepër në realizimin e një situate ku të kemi vetëm përfitimet e industrisë, që pa dyshim duhet edhe të kujdesemi për të, duhet edhe të marrim masa legjislative e rregullatore për të. Por, nga ana tjetër, duhet të prevalojë interesi qytetar, në mënyrë që të ecim në mënyrë paralele ku edhe mjedisi, edhe territori, edhe shëndeti, edhe jeta, edhe ambienti ynë të jenë të mirëmbajtur, por edhe të jenë në parametrat që meritojmë të kemi ne qytetarët që kemi vendosur të jetojmë në këtë vend. Pra, ligji nuk kishte as garancitë minimale që qytetarët shqiptarë të garantoheshin që industria ricikluese, pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, nuk do të bojkotonte tërësisht marrjen e mbetjeve nga ato që prodhohen në Shqipëri dhe do të përshtaste tërësisht produktin e saj nga mbetjet e importuara nga jashtë. Pra, qind për qind do të merrte mbetje nga jashtë sepse ia lejonte këtë hapësirë ligji”.