Nishani takim me homologun rumun kërkon ndihmë për negociatat me BE

Presidenti Bujar Nishani në kuadrin e pjesëmarrjes në punimet e Sesionit të 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si dhe takimeve të ndryshme dypalëshe, u takua sot edhe me Kryeministrin e Rumanisë, Daçian Çiolosh, me të cilin bisedoi për mundësitë e nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit mes dy vendeve. Presidenti Nishani, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike e miqësore, si dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën konkrete që Rumania i ka dhënë Shqipërisë gjatë proceseve të integrimeve euroatlantike, veçanërisht në kuadrin e procesit të integrimit evropian. Presidenti i Republikës shprehu besimin se kjo ndihmë do të vijojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit në Union. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu nevojën e nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, duke evidentuar faktin se këto marrëdhënie janë larg nivelit të bashkëpunimit politik dhe mundësive reale që të dy vendet kanë, veçanërisht në kuadrin e energjisë, turizmit, infrastrukturës, etj. Mes dy bashkëbiseduesve u trajtuan edhe çështjet e bashkëpunimit rajonal, ku në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani shprehu qendrimin e palës shqiptare në mbështetje të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe theksuar faktin se pavarësia e Kosovës i ka shërbyer paqes dhe rritjes së sigurisë dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore. Me interes u vlerësuan edhe vëmendja dhe angazhimet e të dy vendeve në respekt dhe mbështetje të të drejtave të minoriteteve, të cilat kanë qenë ura të forta lidhëse mes dy vendeve konform kuadrit ligjor dhe konventat e Këshillit të Evropës.

Artikulli paraprakSITUATE ALARMANTE NGA MBETJET NE QYTETET BREGDETARE
Artikulli tjetërSONDAZHI PER ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NE SHBA,CLINTON KRYESON ME 48%