Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi, presidentit të ri të Francës, Emmanuel Macron, i cili u shpall fitues në zgjidhjet e së dielës. Nishani shprehet se fitorja e Macron është inkurajuese edhe për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e kanë orientuar të ardhmen e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Urimi i Presidentit Nishani për Macron
Ju uroj përzemërsisht për fitoren në zgjedhjet e djeshme presidenciale, si dhe shumë suksese në përmbushjen e agjendës dhe angazhimeve të ardhshme në postin e Presidentit të Republikës franceze. Mbështetja e popullit francez për Ju ishte një mbështetje e qartë, jo vetëm për vizionin tuaj për një Francë më të zhvilluar, por edhe për garancinë e vijimit të qendrueshëm të projektit më madhor evropian të pas Luftës së Dytë Botërore, atij të Bashkimit Evropian. Ju siguroj se, fitorja juaj është inkurajuese edhe për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e kanë orientuar të ardhmen e tyre drejt Bashkimit Evropian. Shpreh besimin se, gjatë mandatit tuaj presidencial, vëmendja dhe mbështetja e Francës dhe Bashkimit Evropian ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor do të vijojë të jetë më shumë domethënëse. Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen që Franca i ka dhënë Shqipërisë e shqiptarëve ndër dekada, si dhe besimin se, gjatë mandatit tuaj presidencial, marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona do të zhvillohen e forcohen edhe më shumë. Ju lutem pranoni Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsiderates sime më të lartë.