Një ditë pas përfundimit të afatit për deklarimin e ndryshimit të vendbanimit, ka nisur aplikimi i gjobave në të gjithë vendin.
Radhë të shumta janë shënuar në zyrat e gjendjes civile në Shkodër, ku qetetarët shprehen të zhgënjyer për gjobat prej 10 mijë lekësh që kanë nisur të aplikohen për adresat e reja.
Qytetarët kërkojnë shtyrjen e afateve për ndryshimin e vendbanimit. Qytetarët që do të deklaronin ndryshimin e vendbanimit tashmë nuk kanë më kohë që t’a kryejnë atë falas. Për një procedurë të tillë ka nisur aplikimi i gjobave prej 10 mijë lekësh të reja.
Dokumentet e nevojshme për të regjistruar ndryshimin e vendbanimit janë një fotokopje e letërnmjoftimit për çdo person madhor të familjes, dokumenti i pronësisë së banesës ose një kontratë qiramarrjeje.
Ndërkohë, një ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile përmes një deklarate për mediat u shpreh se nuk mund të ketë një shtyrje të afatit të amnistisë, pasi ligji nuk parashikon një shtyrje të tillë. I vetmi favor për qytetarët është mbajtja hapur e zyrave derisa të përfundojë procedurat edhe aplikuesi i fundit.