Importuesit më të mëdhenj të vajit paralajmëruan se që nga muaji qershor në vend do të fillojë të ndihen kufizimet e vajit ushqimor, për shkak të rënies të lartë të ofertës në tregjet europiane.

Pas shumë shteteve në Europë, që kanë vendosur kufizime në blerjen e vajit ushqimor nga konsumatori në supermarkete, në tregun shqiptar të parët që po vuajnë kufizimet e furnizimeve janë tregtarët e vegjël. Bizneset e vogla të mallrave ushqimore të kontaktuara nga “Monitor” pohojnë se nga dyqanet e shumicës nuk mund të blejnë më shumë se 15 apo 30 litra vaj luledielli (1-2 kuti), për shkak të mungesës të furnizimeve.

“Pikat e shumicës nuk të furnizojmë më shumë se 30 litra vaj, pasi edhe ato kanë mungesë furnizimesh. Shqetësim është edhe çmimi i lartë, pavarësisht se konsumatori vijon të blejë markat e vajit të lulediellit. Ndërsa për vajin me çmim më të lirë, por që është një marke e re që ka dalë së fundmi në treg, nuk ka kërkesë”, pohon Qamil Ajazi drejtuesi i një ushqimore në zonën e Freskut.

Rënia e prodhimit të farave të lulediellit në Europë dhe rritja e çmimit nisi që në 2020, ndërsa nisja e luftës Rusi-Ukrainë e thelloi edhe më shumë mungesën e prodhimit dhe shtrenjtoi çmimin. Në fillimi të muajit mars vaji i lulediellit iu shit 340 lekë/litër nga 260 që ishte në muajin shkurt. Në raport me muajin shkurt çmimi për muajin maj 2022 është 46,5% më i shtrenjtë.

Aktualisht çmimi i shitjes të vajit të lulediellit, të përcaktuar nga bordi i Transparencës është 381 lekë/litër për konsumatorin dhe 346 lekë për shitjen nga konsumatori. Për importuesit marzhi i fitimit i përcaktuar nga bordi është 35 lekë për litër dhe për tregtarët e pakicës 6 lekë për litër.

Përveç mungesës të furnizimeve, bizneset e vogla ngrenë shqetësimin se marzhi i fitimit që iu lenë pikat e shumicës është 50% më e ulët se marzhi i fitimit i miratuar nga bordi. “Sot jam furnizuar me 15 litra (1 kuti) vaj me çmim 377 lekë me shumicë dhe me 15 litra me vaj “Olim” me çmim 370 lekë për litër. Nuk mund të furnizohemi me më shumë se dy kuti. Çmimi i shitjes për të dy llojet e vajit do të jetë 380 lekë. Me këto fitime po furnizohemi me këtë produkt vetëm që të mos u mungojë klientëve, pasi as koston e furnizimit nuk arrijmë të mbulojmë. Makinat e shumicës prej javësh nuk vijnë më të na sjellin mallin në dyqanet ushqimore”, pohon një tjetër drejtues i biznesit të vogël në Tiranë.

Importuesit më herët pohuan se në këtë situatë krize nuk përbën më shqetësim çmimi i vajit të lulediellit, por mungesa e gjetjes të produktit. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Erbiron” që importon vajin e ambalazhuar hungarez z. Tedi Maraj tha më herët për “Monitor” se nga muaji qershor dhe përgjatë gjithë stinës të verës në treg do të ketë mungesë të produktit. Maraj theksoi se kompania nuk mund të krijojë më tepër se 30 ditë rezerva, pasi në Hungari nuk gjen më furnizime.

Mungesa e furnizimeve u paralajmërua edhe nga një tjetër importues. “Po shkojmë rreth një situate që rrezikohet të mos ketë vaj në treg duke nisur nga stina e verës. Tashmë për shkak të bombardimeve në pjesën Lindore të Ukrainës operatorët kanë ndërprerë furnizimet nga ky vend. Furnizimet e siguruara nga Ukraina zgjasin në treg për 1 muaj.

Në Bullgari dhe Serbi çmimi i vajit vijon të jetë i lartë në vlerat e 420 deri 430 lekëve për litër me TVSH. Në Europë për shkak të rënies të ofertës, sasia e importit është e limituar”, nënvizoi më herët tregtari i vajit. Për vajin e lulediellit situata është rënduar, pasi 80% të konsumit botëror mbulohet nga Ukraina dhe Rusia. Në këto shtete në muajin mars nuk u arrit të mbillet fara e lulediellit. (Monitor)

Artikulli paraprakBANKA BOTËRORE: 408 MIJË PERSONA NË RAJON DOLËN NGA VARFËRIA VITIN E KALUAR, 65% ISHIN NGA SHQIPËRIA
Artikulli tjetërORBAN: HUNGARIA NUK MUND TË MBËSHTESË SANKSIONET E REJA TË BE-SË KUNDËR RUSISË