Nisin procedurat për anëtarët e KLGJ dhe KLP që zgjidhen nga Kuvendi
Avokatët dhe juristët që kanë interes të kandidojnë për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentat drejtuar Avokatit të Popullit brenda datës 28 janar. Ndërkaq, më 9 janar u njoftuan gjyqtarët dhe prokurorët për postin vakant, afati i të cilëve është dorëzimi i dokumenteve pranë sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit deri më 16 janar. Sipas reformës në drejtësi Këshilli i Lartë Gjyqësor do të ketë 11 anëtarë 6 prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe 5 nga Kuvendi, nga radhët e juristëve jo gjyqtarë. Mes këtyre pesë të fundit, një duhet të jetë avokat, një noter, një nga trupa e pedagogëve të Magjistraturës, një nga pedagogët e drejtësisë dhe i fundit nga shoqëria civile. Avokatët e interesuar për anëtar të KLGJ dhe KLP duhet të paraqesin pranë Avokatit të Popullit krahas kërkesës me shkrim edhe këto dokumenta: a) jetëshkrimin e përditësuar; b) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin nëse zgjidhen; c) formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për integritetin e personave qe zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; ç) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut të vitit 1991; d) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete; dh) dokumente konfirmuese nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, që vërtetojnë se kandidati plotëson kushtet e parashikuara në shkronjat “c” deri në “e”, të nenit 19, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”; e) çdo dokument tjetër që vërteton plotësimin e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 19 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Anëtarët e organizatave të shoqërisë civile që duan të kandidojnë për KLGJ dhe KLP, do të ndjekin të njëjtën procedurë, ndërkohë që dokumentat bashkangjitur janë këto: a) jetëshkrimin e përditësuar; b) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen; c) formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; ç) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”; d) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të ndonjë shërbimi sekret; dh) çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 54, pika 2, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Për pedagogët e interesuar të fakulteteve të drejtësisë duhen dorëzuar këto dokumente: a) të jenë shtetas shqiptarë; b) të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë profesionale si jurist; c) në kohën e kandidimit, të jenë pedagogë me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë (IAL) ose pedagogë të brendshëm ose të jashtëm jomagjistratë në Shkollën e Magjistraturës; ç) të jenë personel akademik të kategorisë “profesor” ose “lektor”; d) në kohën e kandidimit të mos jenë rektor ose Drejtor i Shkollës së Magjistraturës dh) të mos kenë masë disiplinore në fuqi; e) të mos kenë qenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; ë) të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike përpara kandidimit; f) të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”; g) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve inteligjente; gj) në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar. Secili prej institucioneve të arsimit të lartë që kanë në përbërje të tyre si njësi kryesore fakultete të drejtësisë, të akredituara sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, si dhe Shkolla e Magjistraturës, të fillojnë procedurat për shpalljen e thirrjeve të interesit, për depozitimin e kandidaturave dhe të dokumentacionit përkatës, si dhe për verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të kandidatëve.