Kam kënaqësinë që në emrin e një grupi deputetësh, të shpall nismën për dy ndryshime të rëndësishme në Kushtetutën e vendit, përmes projektligjit bashkëlidhur.

Me amendamentin e parë kushtetues, ne kërkojmë që Presidentin e Republikës t’ia japim popullit. Ka të paktën dhjetë vjet diskutimesh, idesh dhe përpjekjesh në politikën shqiptare dhe në opinionin publik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. Një President i zgjedhur nga populli, dhe jo nga Kuvendi, do të jetë figurë e pavarur nga politika e ditës dhe përfaqësues i unitetit të popullit në ushtrimin e detyrave të tij të rëndësishme kushtetuese. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kompetencave të Presidentit, kërkojmë vetëm ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së tj. Në shumë vende të botës, që nga SHBA e Franca, por edhe Mali i Zi, Turqia, Sllovenia, Serbia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Moldavia, Maqedonia, etj., Presidenti i Republikës zgjidhet nga populli. Me amendamentin e dytë kushtetues, ne kërkojmë që popullit t’i bëhet e mundur të ndryshojë Kushtetutën e vendit. Me Kushtetutën aktuale, këtë të drejtë populli e merr vetëm nëse bëhen bashkë 94 deputetë, ose 2/3 e parlamentit. Por 94 deputetë është e vështirë të bien dakord. Edhe kur bien dakord, preferojnë ta ndryshojnë kushtetutën vetë, pa pyetur popullin, siç ka ndodhur në vitin 2008. Ne kërkojmë që ky numër të ulet në 2/5, pra në 56 deputetë. Sot diskutohet fort për reformën në drejtësi, por populli shiptar e ka të pamundur të marrë pjesë në këtë proces. Me ndryshimin që ne propozojmë, popullit shqiptar i lind e drejta që të vendosë vetë për reformën në drejtësi dhe për reforma të tjera të rëndësishme. Amendamentet i përgatitëm me Arta Daden dhe Ben Blushin, në diskutim me një grup deputetësh të spektrit të gjerë të parlamentit, të cilët po i rendis në vijim. Vazhdojmë kontaktet me shumë deputetë të tjerë dhe me grupet parlamentare, për të siguruar mbështetjen e nevojshme që këto ndryshime në Kushtetutë të miratohen. Besojmë se këto ndryshime kushtetuese janë të domosdoshme për jetën demokratike të vendit. Prandaj do i kërkojmë opinionit publik dhe të gjithë qytetarëve të ushtrojnë presion mbi deputetët e tyre për ta mbështetur këtë nismë. Bërthama e parë e deputetëve propozues (sipas rendit alfabetik) Agron Duka Arta Dade Ben Blushi Dashamir Shehi Eduard Selami Luljeta Arapi Mimoza Hafizi Nard Ndoka Tahir Muhedini Vangjel Dule

Artikulli paraprakGAZETA BRITANIKE: PUSHIME NË SHQIPËRI, SEKRETI I FUNDIT !
Artikulli tjetërRADHË TË GJATA NË AKSIN RRUGOR SHKODËR – VELIPOJË