Buka e gojës nuk pyet.

Ky është realiteti i trishtë që edhe pas 25 vitesh nuk e ka lëshuar ende Shkodrën. Dhjetra fëmijë kryesisht të komunitetit rom dhe egjyptian por edhe të tjerë nga shtresa me probleme të thella sociale kanë pritur mbi 3 orë që forcat e policisë t’i lejojnë që të mbledhin ambalazhet e pijeve alkolike dhe jo alkolike apo edhe çakmakët e sende të tjera të lënë nga tifozët. Kjo ka ndodhur në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” menjëherë pasi tifozët e Kosovës kanë hyrë në stadiumit për të ndjekur ndeshjen me kombëtaren e Islandës. Dhjetra fëmijë kanë qëndruar në pritje dhe sapo forcat e policisë i ka lënë lirshmëri ata janë sulur për të mbledhur sa më shumë që të mundin. Pavarësisht kësaj situate askush nuk i ka ndaluar dhe për disa minuta këta fëmijë kanë qëndruar aty duke mbushur qeset e çantat e tyre. Çdo ditë propaganda apo edhe ndërgjegjësimet e marrja e përgjegjësisë për fëmijët në situatë rruge është e lartë por kjo mbetet brenda zyrave apo aktiviteteve sporadike sepse në fakt realiteti është krejt tjetër. Këta fëmijë në kërkim të qindarkave për të siguruar bukën e gojës ndodhen në këtë situatë prej shumë kohësh e disa prej tyre madje janë edhe fytyra të njohura për të gjithë qytetarët sepse në vend të bankave të shkollës frekuentojnë rrugët duke lypur apo duke mbledhur materiale metalike për t’i shitur më pas për skrap. Pavarësisht tentativave vazhdon që të mbetet një mision i pamundur që këta fëmijë të largohen një herë e përgjithmonë nga rrugët e qytetit për t’u edukuar apo arsimuar si e gjithë pjesa tjetër.

Artikulli paraprak“MUZEU MARUBI” DHE VIZITORËT NË FUNDJAVË
Artikulli tjetërBIZNESET OFROJNË VENDE PUNË PËR “PAK”