Qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët në mbarë botë festojnë sot 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Vendi i dytë i shqiptarëve mbush sot plot një dekadë e pavarur dhe kjo ka sjellë një sërë organizimesh e festë në zemrat e shqiptarëve anembanë botës. Aktivitetet kanë nisur që prej ditës së djeshme, ndërsa do të vijojnë edhe gjatë gjithë ditës së sotme.
Të gjitha komunat e Kosovës kanë ndezur dritat e festës së pavarësisë për t’i dhënë jetë këtij 10-vjetori liri. Ndërkohë, seanca solemne e Kuvendit të Kosovës dhe marshimi i trupave të FSK do të jetë ditën e diel, më 18 shkurt. Sot dhjetë vite më parë, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët, veç atyre serbë, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke u realizuar dëshira shekullore të shqiptarëve për të fituar pavarësinë.
Prej 17 shkurtit të vitit 2008 Ballkanit iu shtua edhe një shtet i ri, Kosova, e cila filloi të njihej menjëherë nga shtetet mike, ku deri më tani ajo është njohur nga 113 shtete në botë.