GAZETAT NË ATHINË E KANË QUAJTUR AKORDIN E ARRITUR SI NJË FRYMËMARRJE TË LEHTË. Grekët duken më të lehtësuar, por sërish të shqetësuar, një ditë pasi qeveria e Syriza-s arriti marrëveshjen me kreditorët ndërkombëtarë
për zgjatjen me katër muaj të programit të shpëtimit. Gazetat në Athinë e kanë quajtur akordin e arritur si një frymëmarrje të lehtë, ndërsa njerëzit janë të ndarë në mendimet e tyre.“Marrëveshja m’u duk e drejtë dhe besoj se diçka do të ndodhë që gjërat të bëhen më mire,” thotë një student 23-vjeçar.Më pak besimplotë duken grupmoshat e mëdha. Sipas marrëveshjes, Greqia duhet të dorëzojë deri të hënën një letër pranë Eurogrupit ku të ketë listuar të gjitha reformat që planifikon të ndërmarrë deri në përfundim të afatit të ri të programit të shpëtimit. Vetë kryenegociatori i helenëve, Janis Varufakis, është shprehur se shpresonte ende që qeveria të mund të rriste pagën minimale dhe të rimerrte në punë disa nga nëpunësit e administratës civile Janis Varufakis: “Jemi të përkushtuar të mos ndryshojmë asnjë pjesë të legjislacionit apo të ndërmarrim masa të njëanëshme që do të vinin në rrezik rimëkëmbjen ekonomike dhe qendrueshmërinë financiare të qeverisë. Por sot arritëm të bënim partnerë mes atyre që deri dje na shihnin me dyshim. Është vetëm një hap i vogël në këtë udhëtim të gjatë, por edhe udhëtimet e gjata kanë një fillim”. Të hënën pritet një tjetër ditë e rëndësishme për të ardhmen e Greqisë, pasi lista me propozime do të shqyrtohet për aprovim nga trojka e kreditorëve. Nëse propozimet nuk pëlqehen, do të ketë sërish një mbledhje urgjente.