Takime intensive në selinë e Partisë Demokratike kanë sjellë ditët e para të shtatorit. Ditën e sotme kryedemokrati Lulzim Basha pritet të zhvillojë një takim me aleatët e tij opozitarë. Burime nga PD thanë se mbledhja do të mbahet në seli rreth orës 19:00.
Opozita ka paralajmëruar nisjen e aksionit opozitar në vjeshtë, ndërsa kërkesa e saj mbetet qeveria tranzitore pa Ramën kryeministër që do të çojë vendin në zgjedhje të lira. Takimi me aleatët opozitarë vjen një ditë pasi OSBE/ODIHR publikoi raportin për procesin e 30 qershorit, ku opozita vendosi të mos garojë me kandidatët e saj.
Një ditë më parë kryedemokrati Basha zhvilloi një takim me Drejtorin e ri të Zyrës së Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik. Në një reagim në “Tëitter”, kryedemokrati Basha tha se fokusi i bisedës me zyrtarin e lartë u përqendrua tek dhënia fund e pandëshkueshmerisë së politikanëve, rikthimin e sundimit të ligjit, por edhe forcimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA.