Policia e Tiranës mëngjesin e sotëm ka reaguar për të gjithë misterin që mbuloi çështjen e arrestimit të ish deputetit Alqi Bllako. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka thyer heshtjen që na shoqëroi për disa orë, duke thënë se Alqi Bllako ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.

Sipas policisë Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. GJKKO caktoi në mungesë masën e sigurisë të arrestit me burg ish deputetit socialist, tashmë pa imunitet, të vënë në akuzë për aferën e inceneratorit të Fierit.

‘Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme. Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.’- njofton policia.

GJKKO pranoi kërkesën e SPAK, një ditë pasi ai dorëzoi mandatin e deputetit. Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK ai akuzohet se ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi.

SPAK ka nënvizuar se nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë

milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë. Përfitimi i parregullt dyshohet se mund të jetë marrë përmes rrogës së babait të tij në një nga kompanitë e inceneratorit. Në 16 muaj, ai është paguar 14.964.900 lekë nga Inceneratori i Tiranës. Këto të ardhura janë përfituar në tre mujorin e fundit të vitit 2018, në vitin 2019 dhe në janar të vitit 2020. Por se si e ka përfituar shumën SPAK nuk e saktëson në njoftimin e tij.

Në një reagim të shkurtër për ngjarjen 2 ditë më parë, Bllako mohoi akuzat, teksa u shpreh se do të sqaroj të vërtetën para drejtësisë.

Dy ditë më parë, SPAK ekzekutoi 9 urdhër arrestet e lëshuara për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit. Ndërkohë u lëshuan edhe 5 urdhër-arreste të reja për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Nga 9 urdhër arrestet, 7 ishin masa sigurie ‘arrest me burg’ dhe 2 në arrest shtëpie. Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, dhe Klodian Zoto, pronari i kompanisë që administron Inceneratorin e Fierit, kanë marrë masën e dytë ‘arrest me burg’, ndërkohë që 7 të tjerë akuzohen zyrtarisht nga Prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Artikulli paraprakINCENERATORI I FIERIT/ POLICIA SHKON TA ARRESTOJË, POR NUK E GJEN NË SHTËPI ALQI BLLAKON
Artikulli tjetërNGA SOT, ÇMIMET E PRODUKTEVE TË SHPORTËS DO TË MONITOROHEN NGA BORDI I TRANSPOARENCËS! GJOBË DERI NË 10 MLN LEKË KUSH ABUZON