Këta janë kuajt e trajnuar të SportKlub Vllaznia Hipizëm dhe Klubit të Sporteve me Kuaj Rozafa në Shkodër.

Prej 2 muajsh, trajnerët Arben Camaj dhe Sokol Kajoshi po bëjnë gati infrastrukturën e nevojshme për Garën Kombëtare të Rezistencës me Kuaj në 20 Km që do të zhvillohet të dielën e 28 majit. Plazhi i Velipojës do të jetë vendi mikpritës i klubeve të hipizmit nga qytete të ndryshme në këtë disiplinë që Kajoshi e solli për herë të parë në Shqipëri. Për Arben Camajn, përfaqësues dhe drejtues i Klubit të Sporteve me Kuaj Rozafa, kjo disiplinë synon të rikthejë traditën e Shkodrës në gara me kuaj. Sa i përket moshës së garuesve, Camaj thotë se nuk ka përcaktime.

Me synimin për të rritur këtë disiplinë deri në nivele ndërkombëtare, Kajoshi fton dashamirësit e garave me kuaj. Kjo është gara e 3-të kombëtare e rezistencës që do të zhvillohet në vendin tonë. Në këtë disiplinë, ku paneli i jurisë përbëhet nga vlerësues ndërkombëtarë, Shkodra do të përfaqësohet me 3 klube hipizmi, ndërsa do të ketë edhe pjesëmarrës të shumtë nga Tirana Fieri e Kavaja. Ndërkaq, problematikë e mbartur ndër vite për trajnerët e klubeve të hipizmit është se Ministria e Bujqësisë nuk bën matrikullimin e kuajve, ç’ka i pengon ata të marrin pjesë në gara ndërkombëtare.

Artikulli paraprakÇAPALIKU I BINDUR: VLLAZNIA FITON ME TIRANËN
Artikulli tjetërLAMTUMIRA PËR ISH-MUNDËSIN DUSHAN VASO