Kryeministri Edi Rama e ka falënderuar publikisht Drejtorin Ekzekutiv të Kompanisë Pfizer Albert Bourla i cili ndodhet në Tiranë, teksa kanë vizituar së bashku Air Albania. Rama e cilësoi një mik të Shqipërisë dhe tha se u gjend në një moment të vështirë.
“Sot është një ditë e veçantë për procesin e vaksinimit sepse kemi nderin dhe kënaqësinë të mikpresim shefin e madh të Pfizer-it i cili mund ta them me bindje është bërë një mik i yni, një mik i Shqipërisë. Na hapi derën në momentin më të vështirë kur ne shkuam në New York për të trokitur në derën e Pfizer në kushtet kur nuk kishim asnjë perspektivë të qartë.
Folëm gjatë në New York dhe edhe pse nuk na premtoi aty për aty që çështja do të zgjidhej na dha fjalën që do bënte gjithçka për ta zgjidhur. Falë angazhimit të z. Bourla mundëm t’i merrnim vaksinat më parë se të tjerët. Dua t’ia shpreh në sy të tij dhe të opinionit publik, mirënjohje pafund për këtë ndihmë në mbrojtje të jetës së qytetarëve”, tha Rama.