Esat Mala do të vijojë të jetë pjesë e Vllaznisë. Njëri prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës kuqeblu në dy sezonet e fundit ka arritur akordin me drejtuesit dhe do të vijojë të jetë pjesë e këtij ekipi edhe në sezonin e ardhshëm. Gjithçka është finalizuar dhe më pas është njoftuar nga klubi shkodran përmes një postimi në faqen zyrtare, me mesfushorin që ka rinovuar edhe për një sezon. “KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës edhe për një sezon tjetër me futbollistin Esat Mala”, shkruhej në deklaratën e klubit të Vllaznisë. Në fakt, nga burime të “Star Plus” mësohet se ka qenë vetë këmbëngulja e trajnerit Brdariç që Mala të jetë përsëri pjesë e Vllaznisë edhe një vit tjetër.

Në këtë mënyrë, trajneri Thomas Brdariç do të ketë në dispozicion të katër futbollistët e sezonit të kaluar në repartin e sulmit. Mala do të ketë në krah kapitenin Bekim Balaj, por edhe Ildi Grudën dhe Mehdi Çobën. Atyre u shtohen edhe futbollistët e rinj si Antonio Delaj, Kevin Dodaj dhe Klajdi Halili. Megjithatë, drejtuesit duket se po shohin në merkato edhe për një tjetër sulmues cilësor, që do të rriste cilësinë, por edhe konkurrencën në repartin ofensiv. Ndërkohë, përveç rinovimit të Malës, te Vllaznia ka ardhur një “divorc” i papritur. Portieri Jurgen Mehidri dhe klubi kuqeblu kanë mbyllur kontratën e tyre dhe si rrjedhojë kanë shtrënguar duart, duke i uruar suksese njëri-tjetrit.

Një gjë e tillë bëhet e ditur nga vetë burime të “Star Plus” pranë klubit shkodran, ku konfirmojnë se kontrata tre-vjeçare me portierin Jurgen Mehidri është ndërprerë dhe sezonin e ri, ai nuk do të jetë pjesë e Vllaznisë. Nga sa mësohet nga burime të “Star Plus”, arsyeja e mbylljes së këtij bashkëpunimi ka qenë sepse drejtuesit kanë menduar që për sezonin e ri, portier i dytë të jetë i riu Aron Jukaj dhe një gjë e tillë nuk është pritur mirë nga Mehidri, teksa tashmë zyrtarizimi i largimit të tij nga Vllaznia është vetëm çështje orësh. Për të siguruar katërkëndëshin për sezonin e ri, Vllaznia do të ketë të gatshëm portierët Kristi Qarri, Aron Jukaj dhe Rezart Bunjaj.

Artikulli paraprakLEZHJANI KAP DHE GRUMBULLON QENTË ENDACAKË
Artikulli tjetërSHKODËR, KONFERENCA E RAJONEVE DETARE PERIFERIKE