Te Vllaznia ka mbërritur për provë një sulmues malazez. Ai është Danin Taloviç, një 29-vjeçar, i aktivizuar së fundmi në Libi. Futbollisti i ardhur për provë mësohet se luan si qendërsulmues, vend që në fakt Vllaznia kërkon një përforcim të fundit, pasi kapiteni Bekim Balaj është i vetmi lojtar që luan në atë pozicion. Së fundmi, Taloviç ka luajtur në Libi me Safa, por më parë edhe me Rudar Pljevlja në Mal të Zi dhe ekipe të ndryshme atje. Sezonin e fundit, ai ka shënuar pesë gola në 11-ndeshje që është aktivizuar në Libi me ekipin e Safa. Statistikat me të mira si golashënues, Taloviç i ka në Kirgistan me ekipin e Dordoi Bishkek, aty ku ka shënuar 15-gola me këtë skuadër. Ndërkohë që, ai aktivizimet më të shumta i ka me ekipin e Rudar Pljevlja në Mal të Zi. Malazezi ka edhe një të kaluar në futbollin kosovar, pasi në sezonin 2019-2020, Taloviç ka qenë pjesë e Flamurtarit të Prishtinës. Disa javë më parë, ai ka mbyllur gjithçka me skuadrën e Safa në Libi dhe është vendosur në kërkim të një ekipi tjetër. Si rrjedhojë, menaxherët ua kanë sugjeruar drejtuesve të Vllaznisë, të cilët e kanë marrë në provë dhe po e shohin me kujdes. Malazezi, me të ardhur nuk ka humbur kohë, por i është bashkuar menjëherë grupit kuqeblu në stërvitje, në prag të përgatitjeve për kampionatin. Ai do të shihet këto ditë dhe më pas, drejtuesit dhe trajneri Thomas Brdariç do të vendosin për të ardhmen e këtij sulmuesi shtatlartë. Deri në fund të kësaj jave, ku do të ketë edhe një ndeshje miqësore me Laçin të shtunën, drejtuesit do të kenë të gjithë kohën e mjaftueshme që të vendosin për këtë futbollist. Nëse Taloviç do ta kalojë provën, atëherë mund të jetë një alternativë për sulmin kuqeblu.
Maringlen ZHIVANI

Artikulli paraprakVIRUSI I NILIT PERËNDIMOR, BINO: QËNDRONI TË QETË POR VIGJILENT
Artikulli tjetërAPLIKIMET NË AKADEMINË E SIGURISË/ MUHAMET RRUMBULLAKU: 100 MË TË MIRËT, DO TË …