Vllaznia është rikthyer në seancat stërvitore, pas miqësores së fundit ndaj Teutës. Shkodranët nën urdhrat e trajnerit Migen Memelli dhe stafit të tij kanë zhvilluar stërvitjen e plotë në fushën sportive të kompleksit “Hasaj” në Golem, ku edhe grupi i futbollistëve ka qenë i plotë. Një tjetër futbollist ishte pjesë e seances së fundit stërvitore të Vllaznisë. Në fakt, kemi të bëjmë me një futbollist nga Amerika Latine dhe pikërisht nga Ekuadori. Nga sa mësohet, futbollisti në fjalë është Frank Obando, që luan si sulmues, i cili është 25-vjeç dhe 1.80 metra i gjatë. Lojtari do të jetë në prove për disa ditë për të bindur stafin kuqeblu dhe më pas, do të jetë stafi teknik ai që do të vendosë për fatin e tij.

Me një kërkim të bërë për Obandon, mësohet se kemi të bëjmë me një sulmues 9-sh, i cili në sezonin e fundit ka luajtur fillimisht me ekipin Nacional De Quinto që u shpall kampion në Serinë B të Ekuadorit, duke shënuar tetë gola dhe duke e ndihmuar atë të ngjitet një kategori më lart. Ndërkohë, në gjysmën e dytë, Obando është bashkuar me ekipin e Olmedo, me të cilin ka shënuar gjashtë gola. Tashmë, do të jetë në dorën e tij për të bindur apo jo stafin e Vllaznisë. Trajneri Migen Memelli e ka bërë të qartë se pret edhe një sulmues që të jetë alternative për Bekim Balajn dhe tashmë mbetet për t’u pare nëse ky sulmues do të jetë Frank Obando apo jo.

Nderkohe, Esin Hakaj dhe Esat Mala kanë zhvilluar vetëm vrapime individuale, duke mos u bashkuar me grupin, por që nuk vuajnë nga dëmtime të rënda dhe shumë shpejt priten në fushë. Gjithashtu, pjesë e stërvitjes ka qenë edhe Xhelil Asani, ish-futbollisti i Erzenit që u zyrtarizua në Shkodër tashmë. Mbrojtësi i majtë ka zhvilluar stërvitjen e parë me skuadrën e re dhe pritet me kureshtje se çfarë do të tregojë me kuqeblutë. Ndërkohë, në anën tjetër, Vllaznia do të vijojë çdo ditë me stërvitjet intensive e po ashtu edhe me miqësoret, duke qenë se tashmë kampionati është shtyrë me një javë dhe kjo i jep akoma më tepër kohë skuadrës të jetë e gatshme dhe në formë për sezonin e ri.

Artikulli paraprakEKSPOZITA ME VESHJET POPULLORE
Artikulli tjetërSHKODËR, MESHA PËR SHËN DEDA GUZMAN