Ruajtja e paqes, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve ekskluzivisht me mjete paqësore dhe përmbajtja nga kërcënimet apo përdorimi i forcës janë disa nga pikat e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e arritën një vit më parë në Bruksel. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, do të duhej t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve – nga njohja e simboleve shtetërore deri te të drejtat më të mëdha për komunitetin serb në Kosovë. Megjithatë, ajo që ndodhi në terren gjatë vitit të kaluar, ishte gati krejt e kundërta e kësaj: rritje e tensioneve në veri të Kosovës pasi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe morën pushtetin; përleshje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR; sulm i armatosur i serbëve kundër policisë së Kosovës; heqja nga qarkullimi e dinarit serb… Pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe serb, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut, thonë se janë të zhgënjyer nga politikanët, prej të cilëve varet jetesa e tyre, dhe se kanë humbur shpresën “për një të nesërme më të mirë”. Edhe një anketë e organizatës joqeveritare Aktiv për qëndrimet e komunitetit serb, e cila u prezantua më 26 shkurt, tregon se ekziston “një shqetësim i thellë dhe një pakënaqësi e madhe e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, lidhur me situatën aktuale politike”.

“Ka një shkallë më të madhe pesimizmi krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme, si pasojë e frikës në rritje për një konflikt të mundshëm të hapur”, është gjetja kryesore e organizatës me seli në veri të Kosovës.

Çfarë ndodhi me marrëveshjen?

Njëzet ditë pasi Kosova dhe Serbia e pranuan marrëveshjen, më 27 shkurt, 2023 – që deri atëherë njihej në opinion si “plani franko-gjerman” – në Ohër u ra dakord për një aneks-dokument për zbatimin e saj. Edhe pse nuk u nënshkrua, BE-ja tha se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme dhe se obligimet që dalin prej saj, janë pjesë integrale e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë. Megjithatë, zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Serbisë shprehën vazhdimisht qëndrime që lanë të kuptohet se nuk janë të gatshëm t’i përmbahen marrëveshjes. Kurti këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjes, pasi, siç konsideron ai, kjo do të ishte garanci që edhe Serbia do t’i përmbushte obligimet e saj. Në mes të janarit të këtij viti, ai tha po ashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioritet” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se nuk duhet veçuar. Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët perëndimorë i paraqitën Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për formimin e Asociacionit, i cili u hartua nga BE-ja dhe të cilin palët thanë se e pranojnë. Vuçiq, në anën tjetër, përsërit vazhdimisht se Serbia nuk do të pranojë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, i dërgoi një letër BE-së, ku shprehu rezerva ndaj detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, përfshirë edhe aneks-dokumentin e zbatimit. Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

Çfarë ndodhi në terren?
Nga të gjitha pikat e marrëveshjes, deri më tash, u zbatuan vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave. Në maj të vitit 2023, Kurti dhe Vuçiq miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur gjatë Luftës në Kosovë, me të cilën palët morën përsipër të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet që posedojnë, përfshirë edhe ato “konfidenciale”. Dy palët i njohën, po ashtu, targat e makinave të njëra-tjetrës. Nga janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës nuk i mbulojnë më simbolet shtetërore me afishe të bardha derisa lëvizin me automjete në territorin e Serbisë, dhe anasjelltas. Por, çështja e targave shkaktoi një sërë krizash në veri të Kosovës, për shkak të insistimit të Qeverisë që makinat me targa serbe të riregjistrohen me targa të Kosovës. Për pasojë, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, në nëntor të vitit 2022. Por, në fund të vitit 2023, qytetarët i zëvendësuan targat, ashtu siç kërkoi Qeveria e Kosovës. Kalimi në targa të Kosovës ndodhi pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë – fshat në veri të Kosovës. Grupe të armatosura serbësh sulmuan atje policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova e akuzoi Beogradin për këtë sulm, por zyrtarët atje mohuan se kanë gisht. Përgjegjësinë e mori në fund Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila e ka mbështetjen e Beogradit. Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Artikulli paraprakAXHENDA E SUPERIORES/ JAVA E 26 NIS QË TË PREMTEN PËR SHKAK TË KUPËS. DUELET DIREKTE PËR “FINAL FOUR” DHE MBIJETESËN MBYLLEN ME “KLASIKEN”
Artikulli tjetërKOHA TË BËNI NJË ZGJEDHJE VENDIMTARE PËR JETËN TUAJ…ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT