Një vit pa fitore ka Kombëtarja që sot ndaj Armenisë do të kërkojë të thyejë “mallkimin’. Djemtë e Edy Reja presin sot në “Air Albania” në një test miqësor Armeninë me të cilën kemi kujtimeve të bukura pasi një fitore ndaj saj na kualifikoi në “Euro 2016”. Sfida nis në 17:30 dhe tifozët nuk kanë pasur shumë interes për të qenë në stadium krejt ndryshe nga çfarë ndodhi me Italinë.
Edy Reja që me shumë mundësi sot drejton ndeshjen e fundit si trajner i Shqipërisë kërkon një fitore për të thyer tersin ndërsa mbrojtësi Hysaj këshillon që skuadra të jetë e bashkuar. Në formacion do ketë shumë ndryshime krahasuar me humbjen ndaj Italisë dhe në majën e sulmit pritet të jetë dyshja Skuka-Muçi. Kristjan Asllani do jetë titullar ndërsa nga minuta e parë mund ta nisin edhe mbrojtësit Gurishta e Hadroj që aktivizohen në kampionatin shqiptar.