Vllaznia ka mbyllur zyrtarisht fazën përgatitore të zhvilluar në Ulqin të Malit të Zi ku kuqeblutë kanë qendruar atje për rreth 12 ditë ku mesditën e së premtes ekipi kuqeblu është rikthyer në qytetin e Shkodrës. Gjatë kësaj periudhe synimi kryesore ka qënë rritja e rendimentit fizik të lojtarëve për tu përgatitur më së mirë në përballimin e kampionatit në vazhdim i cili rifillon me 27 janar.
Vllaznia e mbylli vitin 2017 në pozita aspak të favorshme e cila pozicionohej në vendin e parafundit me vetëm 15 pikë. Por gjatë merkatos së janarit edhe pse mundësitë nuk janë maksimale për gjetjen e lojtarëve më të mirë të mundshme Vllaznia ka realizuar goditje interesante duke rikthyer në shtëpi pas 6 vitesh Xhevahir Sukaj.
Traineri Gjoka duket se këtë merkato dimir e ka studiuar mirë pasi në skuadrë solli edhe lojtarët si Ergis Mersini, Renato Malota dhe shqiptaro-malazezin Sedat Berisha. Në këtë mënyrë numri një i pankinës kuqeblu ka plotësuar mungesat e skuadrës së Vllaznisë ku më kryesoret ishin repartet e sulmit dhe mbrojtjes.
Tashmë me rifillimin e ndeshjeve të Kategorisë Superiore shpresohet që skuadra shkodrane të arrijë rezultatet aq shumë të kërkuara edhe psë në ndeshjen e parë startuese në 2018 në Superiore kuqeblutë do të kenë si kundërshtarë skuadrën e Kukësit një rival ky jo shumë i lehtë për shkodranët por që do të synohet që jo vetëm në këtë ndeshje por edhe në të tjerat Vllaznia të bëj kthesën duke iu larguar vendit të parafundit dhe duke u pozicionuar mbase në mesin e tabelës së klasifikimit.