Një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Snow men” (Njeriu i dëborës) ka zbuluar lëndë narkotike duke vënë në pranga katër persona.
Ylber Gega, 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, Ylber Zllami, 36 vjeç, Albert Ajdini, 27 vjeç dhe Leonard Çela, 37 vjeç, që të tre banues në Tiranë, dyshohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kryenin aktivitetin e shpërndarjes së lëndës së dyshuar narkotike kanabis sativa në afërsi të autostradës Tiranë – Durrës pranë fshatit Domje, Qaf Kashari, shinat e trenit etj. Në bazë të informacioneve të siguruara nga policia për të dyshuarit se do bënin një shkëmbim të një sasie të konsiderueshme lënde të dyshuar narkotike kanabis saiva, në zonën e Domjes pranë autostradës Tiranë- Durrës, gjatë ditës së djeshme, teksa kishte rënë edhe dëborë, prej të cilit mori edhe emrin operacioni, efektivët e policisë janë vënë në lëvizje me qëllim kapjen në flagrancë të tyre.
Më konkretisht janë konstatuar dy automjete, një “Ford” dhe një “Opel”, të cilat kanë ndaluar pranë njëra tjetrës me disa persona në brendësi të tyre, e më pas kanë kaluar në një fushë pranë shinave të trenit. Menjëherë është bërë ndërhyrja nga ana e policisë dhe është ushtruar kontrolli në automjetet e mësipërm, ku janë gjetur gjashtë thasë të zinj me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, në pjesën e bagazhit dhe katër thasë të tjerë në sediljen e pasme të automjetit tip “Ford”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 58 kilogramë e 600 gramë lëndë narkotike kanabis sativa, dy automjetet dhe gjashtë aparate telefonik celular të markave të ndryshme. Lidhur me këtë rast po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim”