Kryeministri Edi Rama e quan dezinformim shkresën e rreme, që qarkulloi paraditen e sotme në rrjetet sociale dhe portalet pranë Partisë Demokratike se studentët janë të detyruar të paguajnë tarifën e plotë të studimit brenda 28 Janarit 2019.

Rama thotë se se në bashkëpunim me pengmarrësit e protestës janë edhe ata që i quan “fundërrina” të Universitetit. Rama iu bën apel studentëve të mos paguajnë më shumë se 50% të tarifave.

“Pengmarrësit që e degjeneruan protestën studentore në mbyllje dyersh me dhunë e në shfaqje rrugore të brutalitetit të injorancës, po përpiqen të dizinformojnë studentët lidhur me tarifat në bashkëpunim me disa fundërrina të universitetit! Askush të mos paguajë më shumë se 50%.”-shkruan Rama në rrjetet sociale.

Më tej, kryeministri sqaron se është miratuar vendimi që i hap rrugë përgjysmimit të tarifave për të gjithë studentët.

“Eshtë miratuar në dhjetor VKM për të paguar 50% të tarifave për të gjithë (100% për ata me 9/10 e me ndihme ekonomike+burse 10 mije lek)dhe qeveria do t’ua kalojë lekët direkt universiteteve një për një brenda janarit!Fryma e qëllimet e protestës janë tanimë pjesë e rrugës sonë”-thotë Rama.

Kryeministri Edi Rama i referohet kësaj shkrese të rremë e cila u bë publike ditën e sotme, dhe ku thuhet se të gjithë studentët që janë pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, duhet që t’i paguajnë tarifat e plota brenda 28 janarit.

Artikulli paraprakVRAU GRUAN DHE KUNATËN,KRYEBASHKIAKU:FËMIJËT ENDE NUK DINË Ç’KA NDODHUR
Artikulli tjetërISHTE I DËNUAR PËR VRASJE, KAPET SI TURIST NË AEROPORTIN ITALIAN