Emigrantët shqiptarë në Gjermani kanë kohë që presin njohjen e lejes së drejtimit të automjeteve. Por, siç ka mësuar Deutsche Welle, ky proces do të zgjasë disa vite.
Njohja e lejeve të drejtimit të automjeteve, ose siç quhen në gjuhë popullore, patentat, përmbledh disa etapa verifikimi. Shqipëria nga ana e saj i ka plotësuar detyrat qysh në janar të vitit 2018, siç i tha Deutsche Welle-s ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Artur Kuko: “Procesi tashmë ka filluar. Ne u kemi përcjellë autoriteteve gjermane një formular të plotësuar nga fillimi deri në fund lidhur me mënyrën dhe kërkesat që aplikohen në Shqipëri për pajisjen me leje drejtimi të automjetit.
Autoritetet gjermane po bëjnë verifikimin në të gjitha landet e Gjermanisë për të parë se sa janë në përputhje kriteret që aplikon Shqipëria dhe në përfundim të procesit unë jam besimplot se do të arrijmë në ekuivalentimin e lejeve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Kuko. Disa muaj pas Shqipërisë, në shtator 2018, edhe Kosova e dorëzoi të plotësuar formularin e aplikimit: Një nga detyrat e para që bëri ambasadori i Kosovës në Berlin, Beqë Cufaj, kur nisi punë zyrtarisht në gusht 2018.
Maqedonisë iu deshën 5 vjet
Deri tani përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje e shmangin të gjithë, sepse varet nga shteti aplikues. Ministria Federale e Komunikacionit dhe Digjitalizimit e pyetur disa herë nga DW nuk ka dhënë detaje. Jemi në proces shqyrtimi, i tha një zëdhënëse DW. Por, njëri prej specialistëve të ministrive të njërit prej 16 landeve që do të duhet të japin pëlqimin për këtë proces, i tha DW-së se formularët e plotësuar nga Shqipëria dhe Kosova ende nuk kanë mbërritur te ministritë përkatëse.
Derisa të kalojë procedura nëpër lande, mund të kalojnë vite, thotë specialist. Ai kujton se Maqedonisë i janë dashur plot 5 vjet që kur Konferenca e Ministrave të Komunikacionit foli për herë të parë për këtë çështje (në nivel nëpunësish), në vitin 2013, e deri sa u miratua marrëveshja e njohjes së ndërsjellë të lejeve të qëndrimit, në shtator 2018.
Zgjidhje e përkohshme: Provim shqip
Sidomos për ambasadorin e Kosovës, Beqe Cufaj, kjo është një kohë tepër e gjatë. Telefoni dhe e-mail-i i tij “bombardohen” çdo ditë nga pyetjet e shtetasve të Kosovës për këtë çështje. Pas gjashtë muajsh qëndrimi në Gjermani, leja ndërkombëtare (ose kombëtare e përkthyer) e drejtimit të automjetit e të huajve skadon dhe emigrantët duhet t’i nënshtrohen sërish provimit të teorisë dhe praktikës për të marrë një leje drejtimi gjermane. Por shumë syresh nuk e dinë aq mirë gjermanishten.
Mundësia e dikurshme për ta dhënë provimin e teorisë në gjuhën amtare, në mënyrë gojore dhe me përkthyes, është hequr para disa vitesh, sepse përkthyesit i korrigjonin përgjigjet gjatë përkthimit.
Proces i nderlikuar
Prandaj dhe ambasadorët Cufaj dhe Kuko kanë ndërmarrë edhe një nismë tjetër dhe i kanë kërkuar qeverisë gjermane, së bashku, që shqipja të jetë një nga gjuhët e njohura të provimit. “Donim të përçojmë sinjalin, që ne, si përfaqësues të shteteve tona, jo vetëm që jemi të interesuar, por jemi edhe nën presion. që të gjendet një zgjidhje”, sqaroi Cufaj për DW.
Por sipas burimeve të DW -së as kjo kërkesë, e shtruar në fillim të prillit, nuk ka arritur ende zyrtarisht në tryezën e punës së specialistëve. Ajo dikur do të mbërrijë, burokracia gjermane vonon, por nuk harron, thotë përvoja e kujtdo që ka rënë në kontakt me të.
Por edhe nëse kjo kërkesë merret parasysh, derisa të realizohet do të nevojitet prapë shumë kohë. Shembull: arabishtja, e cila u miratua si gjuhë provimi në vitin 2015, por, derisa u implementua, kaluan së paku një vit e gjysmë deri në dy vjet. Kjo do të thotë, se kush e ka me ngut, ndoshta do të duhej të mësonte gjermanishten: Tekefundit do t’i nevojitet edhe në fusha të tjera të jetës.