“Më fal Bianca” ky është postimi në Instagram që shoqëron fotografinë e kokës pothuajse të prerë të adoleshentes Bianca Devines.
Autori i postimit është vrasësi 17-vjeçar Brandon Clark.
Dy të rinjtë ishin njohur në mediat sociale dhe vrasja ka ndodhur pas një koncerti ku kishin marrë pjesë së bashku.
Imazhet e gjymtimit të adoleshentes u përhapën me shpejtësi dhe u deshën të paktën 12 orë para se të hiqeshin nga Instagrami, duke ngritur kundërthënie dhe pyetje rreth aftësisë për të monitoruar dhe ndërhyrë menjëherë në rrjetet sociale.
E diplomuar në muajin qershor, në pritje për të vazhduar studimet në kolegj, me 35 000 ndjekës në Instagram, Bianca ishte një “artiste e lindur”.
Adoleshentja u gjet e therur të dielën në Utica, qyteti ku jetonte, 400 km në veri të Nju
Jorkut. Pranë saj, policia gjeti djalin vrasës, i cili u përpoq të vriste veten kur policët arritën te ai.
I plagosur rëndë, ai u transferua në një spital në gjendje kritike.
I riu akuzohet si përgjegjës për vrasjen e shkallës së dytë.
Para se të arrestohej nga agjentët e policisë, Clark kishte postuar në Snapchat, disa fotografi të adoleshentes së gjakosur, e mbështjellë me një pëlhurë të gjelbër. Imazhe të tjera të trupit të vajzës Clark i kishte hedhur në Instagram dhe gjithashtu në Discord, një platformë bisede.