Kriza e çmimeve pritet të jetë prezente deri në fund të këtij viti dhe gjithçka do të reflektohet në rritjen e kostove për familjet, ndërsa inflacioni do jetë mbi 3%.
“Për vitin aktual, ne presim që inflacioni të jetë mbi objektivin 3%, në pasqyrim të niveleve të larta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Stabilizimi dhe korrektimi i tyre – i parashikuar të ndodhë gjatë vitit 2022 – do ti hapë rrugë reduktimit të inflacionit drejt objektivit”, sqaron Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë thotë se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë për konsum e shërbime, përballë një momenti kur oferta është e ulët sepse prodhimi ka qenë i reduktuar prej pandemisë. Sipas Bankës së Shqipërisë inflacioni do zbresë në 3% në 2023 dhe vetëm atëherë pritet një stabilizim i situatës.

“Ne parashikojmë që inflacioni të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv duke filluar nga viti 2023. ‘I pastruar’ nga ndikimi i goditjeve të ofertës, kthimi i inflacionit në objektiv do të pasqyrojë balancimin e kërkesës me ofertën për mallra dhe shërbimeve, si dhe rritjen e punësimit dhe të pagave në linjë me produktivitetin”, përgjigjet Banka e Shqipërisë . Për të bërë të mundur rikthimin e inflacionit në normalitet, banka qendrore thotë se do të reduktohen stimujt mbështetës të politikës monetare dhe se mund të rishikohet në rritje norma bazë e interesit, edhe pse ajo përsëri do të jetë poshtë nivelit 1% deri në 2024.

“Arritja e objektivit të inflacionit do të kërkojë reduktimin e stimulit monetar gjatë vitit 2022. Këtë qëndrim ne e kemi komunikuar prej disa tremujorësh tashmë. Sipas vlerësimeve tona të fundit, të cilat u komunikuan edhe në njoftimin e fundit për shtyp të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, mundësia e ndodhjes së këtij reduktimi do të merret në shqyrtim gjatë mbledhjeve të ardhshme të Këshillit. Nëse do të ndodhë, ai do të marrë formën e rritjes së normës bazë të interesit. Megjithatë, reduktimi i stimulit monetar nuk nënkupton kalimin e politikës monetare në kahun shtrëngues. Pavarësisht tij, norma bazë e interesit pritet të mbetet poshtë nivelit të saj historik edhe për dy vitet në vijim. Kjo nënkupton se politika monetare do të mbetet në kah stimulues edhe gjatë vitit 2022 e më tej, ndonëse madhësia e stimulit do të jetë më e vogël. Politika monetare do të vijojë të garantojë kushte financimi të përshtatshme për rritjen e konsumit dhe investimeve”, përgjigjet Banka e Shqipërisë.Norma bazë e interesit u ul në mars të 2020 nga Banka e Shqipërisë me qëllim që të uleshin kostot e kredisë, si dhe të mos cenohej konsumi dhe investimet.

Artikulli paraprakSHKODËR, PREZANTOHET KANDIDATI I PD XHEMAL BUSHATI
Artikulli tjetërSHQIPËRIA BASHKËHARTUESE ME SHBA-TË PËR ÇËSHTJEN E UKRAINËS NË KËSHILLIN E SIGURIMIT, REAGON AMBASADORJA YURI KIM