Shërbimi Sekret i Norvegjisë tha se llogaritë e emaileve të shërbyesve civilë janë sulmuar nga hakerët që besohet të jenë të lidhur me inteligjencën ruse.
Shërbimi Sekret tha se hakerët kanë marrë informacione të klasifikuara. Zëdhënësi i këtij shërbimi, Martin Bernsen, tha se agjencia është paralajmëruar më herët nga një agjenci e huaj për sulme kibernetike kundër Shërbimit Sekret, Partisë Laburiste të Norvegjisë, ushtrisë dhe agjencive qeveritare. “Sulmet kanë pasur një nënshkrim që lë të kuptohet se ata që qëndrojnë prapa sulmeve, mund të identifikohen si APT29. Ata mund të gjurmohen në Rusi”, tha Bernsen. Sipas tij, APT29 është një tjetër term për “Cozy Bear”, një grup hakerësh që, vitin e kaluar, ka pirateruar kompjuterët e Partisë Demokratike në SHBA dhe disa llogari të Qeverisë amerikane.