Një shkodran shpallet kampion kombëtar i Belgjikës në sportin e notit.
Bëhet fjalë për të riun Gjon Vata i cili ka arritur që të nderojë Shqipërinë dhe Shkodrën prej nga vjen në kampionatin kombëtar të notit në shtetin belg. 14 vjeçari Vata ka shkëlqyer në stilin flutur në garën e 200 metërshit duke zënë kështu vendin e parë dhe duke marrë medaljen e arit për grupmoshën e 14 vjeçarëve. Po ashtu ky nuk është suksesi i vetëm i tij Gjon Vata ka bërë një paraqitje dinjitoze edhe në stilin not shpindë në garën e 100 metërshit. Shkodrani i ri u shpall nënkampion duke marrë kështu medaljen e argjendë në shtetin belg. Gjon Vata jeton prej vitesh me familjen e tij në Belgjikë dhe prej kohësh ushtron sportin e notit. Me një konstrukt të vërtetë sportisti e rezultate mjaft të mira, 14 vjeçari shkodran cilësohet si një prej të rinjve me të ardhme nga belgët në sportin e notit. Edhe më përpara është vlerësuar për arritjet dhe rezultatet e tij por kësaj herë kapi kulmin duke u shpallur kampion kombëtar në 200 metër stilin flutur dhe nënkampion në 100 metër stilin not shpindë. Këto dy çmime për shkodranin e motivojnë atë edhe më shumë për t’u përgatitur dhe në një të ardhme të shpejtë të shkëlqejë edhe në garat ndërkombëtare të notit duke qenë se specialistët thonë se i ka të gjitha mundësitë.