Federata Shqiptare e Notit ka zhvilluar këtë fundjavë garat e rradhës në ambientet e pishinës “Stela” në kryeqytet në kampionatin e fëmijëve. Në këtë aktivitet morën pjesë tetë ekipe nga Shqipëria, ndër të cilët edhe “Shkodra Not”, i cili është përfaqësues zyrtar i Vllaznisë, në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky ekip i drejtuar nga trajneri Kolë Shiroka u përfaqësua nga tetë sportistë si Viki Tafrruku, Adriel Marku, Albi Bilali, Alkeo Isufi, Dean Vajushi, Matia Jubani, Era Gogaj dhe Kolë Rupa. Kështu, figurën më të mirë, ashtu si edhe herët e tjera, e ka bërë sigurisht notarja e talentuar Viki Tafrruku, e cila siguroi vendin e parë në 50 dhe 100-metër shpinë, si edhe vend të dytë në 50-metra stil i lirë dhe në 200-metra shpinë.
Nga këto rezultate, Tafrruku arriti të shpallej sportistja e tretë më e mirë e kampionatit, në bazë të rezultateve që ajo mori në këto gara. Ndërkohë nga ana tjetër, Adriel Marku siguroi vendin e parë në 100-metër katër-notim dhe vend të tretë në 50-metër bretkosë. Poashtu, edhe meshkujt e “Shkodra Not”, që përfaqësojnë edhe Vllazninë, arritën të rrëmbenin vendin e tretë në stafetën e 50-metrave stil i lirë me sportistë si Albi Bilali, Matias Jubani, Alkeo Isufi dhe Dean Vajushi.