Këshilli i Ministrave miratoi dje mesataren që do i duhet gjimnazistëve për të shkuar në shkollë të lartë.
Si për vitin akademik 2016- 2017 dhe për vitin e ardhshëm akademik 2017- 2018 mbetet në fuqi mesatarja 6. Nxënësit me mesatare më të ulët se 6 nuk mund të shkojnë në universitet publik.
Perllogaritje
Nota mesatare për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:
a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë;
b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.
Sipas vendimit per “Përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2017-2018” Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.
Pikat e tjera te vendimit që hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”
4. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë strukturave të ngarkuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
5. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste, me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat te njësitë arsimore vendore dhe te strukturat e ngarkuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.