Federata Shqiptare e Notit ka organizuar aktivitetin e Kupës së Shqipërisë, i dyti për nga rëndësia për këtë vit. Kështu, krahas ekipeve më të mira të kampionatit shqiptar, pjesë e këtij aktiviteti ka qenë edhe Shoqata Sportive “Shkodra Not” e drejtuar nga trajneri Kolë Shiroka, ish-kampion i notit. Ekipi i Shoqatës Sportive “Shkodra Not”, si përfaqësues zyrtar të klubit të notit Vllaznia, u përfaqësua me 10-notarë në këtë aktivitet dhe bëhet fjalë për Viki Tafrruku, Elia Lika, Andia Pemaj, Melodi Mimaj, Alkeo Isufi, Matia Jubani, Joel Golemi, Dean Vajushi, Kolë Rupa dhe Alessandro Hysa.

E veçanta e ekipit kuqeblu në këto gara ka qenë konkurimi për herë të parë i Alessandro Hysës me ekipin e notarëve shkodranë. Ai është një shqiptaro-italian, i cili pas kërkesës së familjes së tij drejtuar Shoqatës Sportive “Shkodra Not” dhe në përputhje me të gjitha rregullat e Federatës Shqiptare të Notit, iu mundësua aktivizimi dhe përfaqësimi me Vllazninë. Pikërisht, shqiptaro-italiani Hysa, konkuroi përkrah rivalëve të tij shqiptarë gjithsej në 19-dispilina dhe arriti rezultate shumë të mira. Kështu, në Kategorinë Open që përfshin tre rezultatet më të mira të garës, Alessandro Hysa arriti të rrëmbëjë tre vende të para në konkurimin e garave 50-metra stil shpinë, 50-metra stil i lirë dhe 100-metra stil shpinë. Ndërkohë që, në disiplinën e stilit delfin zuri dy vende të dyta, në distancat 50 dhe 100-metra.

Nga ana tjetër, e zakonshmja Viki Tafrruku, një notare tashmë e konfirmuar disa herë rradhazi si kampione e Shqipërisë, meritoi dy vende të para dhe pikërisht në 50-metër stil shpinë dhe 200-metra katër-notim, ndërsa në garat e tjera, 100 dhe 200-metra stil shpinë, u rendit në vendin e dytë. Një paraqitje të mirë bënë notaret e Vllaznisë edhe në garat e stafetës së vajzave, ku zunë vend të dytë në disiplinën 100-metër katër-notim. Në renditjen e përgjithshme, ekipi i Vllaznisë u klasifikua në vendin e tretë si ekipi më i mirë i kampionatit, si për femra, ashtu edhe për meshkuj. Poashtu, Viki Tafrruku përfaqësoi pak ditë më parë Vllazninë në aktivitetin ndërkombëtar në Mal të Zi, “Montenegro Open”, ku duke konkuruar në dispilinën e 50-metër stil shpinë, arriti të renditej e treta, duke merituar medaljen e bronztë.

Artikulli paraprakBRDARIÇ DHE QARRI: JEMI GATI PËR KUALIFIKIMIN
Artikulli tjetërTENTOI TË MBYTEJ NË LUMIN BUNA ME KATËR FËMIJËT, E SHPËTOI POLICIA