Michel Platini shpërthen kundër futbollit modern dhe ish-presidenti i UEFA-s deklaron hapur se futbolli i ditëve të sotme nuk i pëlqen.
Në një intervistë të dhënë për “France Info”, 64-vjeçari francez shpjegon se nuk ka hequr aspak dorë nga ambiciet e tij për të drejtuar sërish, por mbi të gjitha francezi la të kuptohet se nuk e ka kapërdirë ende skualifikimin 4-vjeçar që i është dhënë nga FIFA. Platini shtoi se ndihet keq dhe i hidhëruar për futbollin e ditëve të sotme, tepër larg ëndrrave që kishte thurrur ai për këtë sport.
64-vjeçari vazhdoi arsyetimin e tij duke thënë se futbolli i sotshëm bazohet pikërisht te paratë dhe pasuria e drejtuesve të klubeve, pasi sipas tij këto ditë një ekip mund të blejë më të mirët dhe të fitojë pa shumë vështirësi.
Michel Platini e mbylli intervistën e tij, duke shtuar se në kohën kur ishte ai president i UEFA-s është përpjekur për të krijuar turne ku që të gjithë të kishin mundësinë për të ëndërruar për fitoren, por një gjë e tillë tani është bërë vërtet shumë më e vështirë.