Prej disa ditësh, një pjesë e shkollave në Qarkun Shkodër nuk kanë vijuar mësimin për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Këtë të enjte, shkollat e zonave malore sërish nuk kanë hapur dyert për nxënësit, të cilët e kanë patur të pamundur të vijojnë pa probleme. Sipas informacioneve, shkollat e Shllakut, Shoshit dhe Pultit vijojnë të jenë të mbyllura.
Dëbora e rënë në këto zona ka shkuar në lartësi të madhe, çfarë e ka bërë të pamundur vijueshmërinë normale të mësimit.
Përsa u përket njësive të tjera administrative të Shkodrës dhe Vau Dejësit, mësimi ka vijuar pa prpbleme në të gjitha shkollat. Ndërkohë, mungesa të theksuara të nxënësve ka patur edhe në shkollat e qytetit të Shkodrës.
Kështu, në shkollën “Ali Laçej” dhe “Ndre Mjeda” pjesëmarrja e nxënësve në mësim është rritur këtë të enjte deri në masën 80%, me një rritje graduale nga dita e hënë. Ndërkohë, situata paraqitet më problematike në shkollën “Pashko Vasa”, ku sipas informacioneve pjesëmarrja në ditët e fundit ka qenë relativisht e ulët.
Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Dritan Gega, këtë të enjte, vetëm 45% e nxënësve Janë paraqitur në shkollë për të vijuar mësimin.
Përsa i përket ngrohjes, në ditët e fundit është bërë e mundur që një pjesë e shkollave ku janë hasur probleme, të furnizohen me dru dhe gaz, ndërsa aktualisht bëhet me dije se ngrohja është e siguruar.