DREJTORIA E PËRGJITHSHME E RRUGËVE KONFIRMON MUNGESËN E FONDEVE. Edhe gjatë sezonit veror që nis pas pak kohësh rruga Shkodër-Velipojë do të vazhdojë që të qëndrojë e amortizuar.
Edhe pse në shumë pjesë të saj derisa përfundon në plazhin e Velipojës janë dëmtuar në një masë të madhe nga sa bëhet e ditur nuk do të ketë asnjë lloj ndërhyrjeje. Një gjë e tillë është konfirmuar për “Star Plus” nga burime pranë drejtorisë së përgjithshme të autoritetit rrugor. Nga sa bëhet e ditur burime pranë ARRSH bëjnë me dije se nuk do të bëhet asnjë ndërhyrje sepse mungojnë fondet. As gjatë vitit 2015-të për aksin Shkodër-Velipojë nuk do të ketë investime ndryshe nga ç’pritej. Në fakt drejtoria rajonale e autoritetit rrugor për veriun ndër prioritetet e saj ka renditur edhe rrugën e Velipojës si e domosdoshme për tu rikonstruktuar. ARRSH-ja e Shkodrës ka qenë në pritje që këtë vit të kishte një investim të paktën për riveshjen e segmentit Shkodër-Velipojë por përgjigja nga drejtoria qëndrore ka qenë negative si shkak i mungesës së fondeve. Madje një investim i tillë është futur edhe në buxhetin e 2015-ës por më pas është hequr sepse mungojnë paratë për rikonstruksionin. Edhe gjatë vitit të kaluar ai segment rrugor ka qenë në shumë pjesë të tij i amortizuar, situatë e cila nga viti në vit vjen e përkeqësohet. Kjo për shkak se aksi Shkodër-Velipojë është shtruar para afro 10 viteve, asokohe investim që erdhi për thithje votash duke qenë se pas pak kohësh zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005. Që atëherë e deri më sot nuk ka patur më asnjë financim. Edhe pse sërish ndodhemi përpara fushatës elektorale dhe zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, këtë radhë duket se për ata që mund të kandidojnë nuk ka më rëndësinë e para 10 viteve. Rruga Shkodër-Velipojë gjatë sezonit veror është tejet e frekuentuar si shkak i një numri të madh turistësh e pushuesish vendas e të huaj. Edhe pse një asset për përfitime ekonomike, aksi rrugor do të vijojë të jetë i amortizuar.