Miliona janë përlotur nga tragjedia në Spanjë që preku mbarë botën, por shumë kishin ende shpresë tek një mrekulli se vogëlushi Julen, prej 13 ditësh në një pus të nëndheshëm mund të gjendej i gjallë.
Por nuk ka mrekulli në Spanjë, 2-vjeçari është gjetur i vdekur pas 13 ditësh gërmime dhe lutjesh në mbarë botën. Siç shumë druheshin, Julen nuk ia ka dalë mbanë. Në orën 1:25 me orën lokale, punonjësit e kërkim-shpëtimit e arritën vogëlushin në pusin ku ra më 13 janar në Totalan, një lokalitet pranë Malagas, por ai ishte pa jetë.
“Për fat të keq, përkundër shumë përpjekjeve nga ana e shumë njerëzve, nuk ishte e mundur… RIP Julen”, shkroi të “Twitter”, Roja Civile, duke iu drejtuar familjarëve të vogëlushit me ngushëllimet më të sinqerta.
Trupi i pajetë i Julen është gjetur më shumë se 100 metra nën tokë. Një agjent i Rojes Civile-raporton El Pais- ka qenë i fundit që iu është bashkuar punonjësve të kërkim-shpëtimit pasi njerëzit e Brigadës së Shpëtimit të Minierave hapën një tunel hyrjeje nga një pus ndihmës.
Hapja e fundit ishte veçanërisht e vështirë, për shkak të pranisë së shkëmbinjve të mëdhenj, të cilat përfundimisht u shpërndanë me shpërthime të vogla me eksploziv.
Mbetet i hapur hetimi i Guardia Civil për të zbuluar se si djali dyvjeçar ka rënë në pus. Prindërit e tij, Josè Rosellò dhe Victoria García, janë të njohur nga fqinjët e tyre në lagjen “El Palo” ku jetojnë, në Malaga, në rrëzë të malit ku ndodhet Totalan.
Në vitin 2017 ata kishin humbur një tjetër djalë trevjeçar.