Në mbledhjen e fundit Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75%. Drejtori i departamentit të politikave monetare në Bankën e Shqipërisë Erald Themeli thotë se ky vendim i Bankës Qendrore për të mos ndryshuar normën bazë të interesit erdhi për shkak të forcimit të lekut dhe informacionit pozitiv nga të dhënat e ekonomisë.
“Informacioni ka qenë më pozitiv se pritjet tona. Nga njëra anë kemi një pikë kthese inflacioni jo vetëm në Shqipëri por dhe në ambientet e huaja ç’ka na bën komod që inflacioni do të jetë në rënie gjatë tremujorëve në vijim. Nga ana tjetër kemi pasur një kurs këmbimi më të fortë se pritjet tona dhe po ashtu një politikë fiskale më konsoliduese se pritjet tona çka këto dy tregues ndihmojnë në kontrollin e presioneve inflacioniste”- ka thënë Erald Themeli. Megjithatë Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar vazhdimin e rritjes së normës bazë të interesit në vitin 2023, çka do të thotë se në muajt në vijim mund të përballemi sërish me rritje të normës bazë të interesit të lekut.
“Në momentet që flasim Këshilli I mbikëqyrës i BSH gjykoi që niveli I normave të interesit në tregjet financiare shqiptare është i mjaftueshëm për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv në tremujorin e dytë vitin 2024, por gjithashtu bazuar në informacionin aktual të disponuar një vazhdim i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen është diçka e domosdoshme pra me shumë gjasa BSH do të publikoj dhe rritje të tjera të normës bazë të interesit gjatë vitit 2023 por kuptohet jo me atë intensitet dhe jo me atë shpejtësi që ne e kemi ndërmarrë gjatë vitit 2022”-përfundon Erald Themeli. Ndryshimi i vazhdueshëm i politikës monetare gjatë viti të shkuar ndikoi direkt tek kredimmarrësit duke shtrenjtuar këstet e kredive për ta por edhe duke tkurrur kërkesën për kredi të reja.