Mospagesa e energjisë elektrike të konsumuar nga ndriçuesit përgjatë unazës lindore të Shkodrës ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të lërë në errësirë këtë zonë periferike të qytetit.
Prej 15 ditësh, aksi rrugor i njohur me emërtimin Unazë Lindore e Shkodrës qëndron në errësirë të plotë. Burime zyrtare pranë Oshee-së në Shkodër i thanë Star Plus se ndërprerja është bërë për shkak të faturave të akumuluara, pasi për shlyerjen e detyrimeve nuk është angazhuar asnjë institucion. Në mirëmbajtjen dhe menaxhimin e këtij aksi rrugor janë ngarkuar dega Rajonale e Autoritetit Rrugor në Shkodër dhe institucioni i bashkisë.
Asnjëri prej këtyre institucioneve të lartpërmendura nuk ka marrë përgjegjësi për Unazën Lindore. Me parë, ARRSH ka deklaruar se ka nisur procedurat për kalimin e kometencave tek Bashkia Shkodër, ndërsa kjo e fundit ka kërkuar plotësimin e disa kritereve.
Për shkak të këtij ngërçi ligjor, askush nuk kujdeset për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e unazës lindore të qytetit. Pavarësisht se ky segment nuk përdoret masivisht nga automjetet, për qytetarët që banojnë në atë zonë dhe kalimtarët e shumtë është kthyer në një rrezik të vazhdueshëm. Duhet thënë se pavarësisht mungesës së shërbimit, qytetarët e Shkodrës tarifohen për ndriçimin.