Këto ditë Maqedonia është mbuluar nga zia, rrugëve mund të shihen fytyra të brengosura, të pikëlluara në mendime.
Gjithë kohën dhe gjithandej flitet për fatkeqësinë që goditi banorët e rretit të Shkupit dhe Tetovës, transmeton Telegrafi. Familjet kanë humbur të afërmit e tyre të cilët ishin nisur ose ktheheshin nga pushimet, kanë humbur njerëz të cilët ishin nisur për në punë. Vërshimet e rrëmbyeshme kanë shkatërruar mijëra shtëpi, të mbjella, njerëzit nuk kanë ku të strehohen, nuk kanë energji elektrike e as ujë, nuk kanë ushqime dhe veshmbathje të mjaftueshme. Por, më të prekura janë familjet të cilët varrosën njerëzit e tyre të dashur, 22 viktimat e vërshimeve, në mesin e të cilëve edhe fëmijë. Mediat vendore kanë raportuar se nga pikëllimi tepër i madh tre persona që kanë humbur më të afërmit e tyre kanë ndërruar jetë nga ataku në zemër.