Mosbardhja e 34 vendimeve gjyqësore në kohë i ka shkaktuar shkarkimin nga detyra e gjyqtarit Albano Çepeles. Vendimi për shkarkimin e Çepeles është marrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ky është vendimi i dytë i shkarkimit të Çepeles pasi një vit më parë ai është shkarkuar nga KLD, por ka qënë Gjykata e Lartë ajo që ka rikthyer sërisht shkarkimin për shqyrtim pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi është vënë në dijeni nga kryetari i Gjykatës Shkodër për veprimtarinë gjyqësore të kësaj gjykate, midis tyre edhe të gjyqtarit Albano Çepele, në lidhje me mosdorëzimin të një numri vendimesh, bazuar në Urdhrin e Verifikimit të datës 29.10.2012 të Kryeinspektorit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë “Për verifikimin e informacionit të Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Andri Ymeri, që lidhet me ushtrimin e funksionit të gjyqtarit të kësaj gjykate, Albano Çepele” ka filluar procesin e verifikimit të informacionit.Si rezultat i verifikimeve Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka arritur në konkluzionin se gjyqtari Albano Çepele ka gjykuar 34 çështje me problematikë në afatin e dorëzimit të vonuar të arsyetimit të vendimeve. Nga verifikimi ka rezultuar se vendimet e 25 çështjeve janë dorëzuar tej afateve kohore, ndërsa për 9 vendime të tjera ka rezultuar se nuk kanë qenë të dorëzuara në momentin e verifikimit,por edhe për këto vendime të pa dorëzuara është konstatuar se ka kaluar afati kohor brenda të cilit ato duhet të dorëzoheshin. Në relacionin përkatës renditen të dhëna për 34 dosje të verifikuara si dhe afatet e dorëzimit të secilës prej tyre, ku afatet e dorëzimit të vendimeve variojnë nga afati minimal pas 15 ditësh nga shpallja e vendimit dhe në maksimum shkon deri në 3 muaj e 22 ditë, nga data e shpalljes së vendimit.