Numri i degëve të bankave tregtare këtë vit po rritet për herë të parë në 10 vjet. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator numri i degëve arriti në 415, nga 413 që kishte qenë në fillim të vitit. Megjithëse me një rritje të lehtë, kjo është hera e parë prej vitit 2012 që numri i degëve bankare po rritet.
Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Pas vitit 2013, numri i njësive bankare nisi të pakësohet, për shkak se kriza shtoi trysninë për uljen e kostove dhe rritjen e eficiencës. Nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese. Ky proces u nxit më shumë nga cikli i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave. Në periudhën 2018-2019, numri i bankave tregtare ra nga 16 në 12. Si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën. Gjithashtu, edhe procesi i dixhitalizimit të shërbimeve bankare duket se ka dhënë ndikimin e vet në uljen e numrit të njësive fizike. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2020 numri i llogarive bankare të lidhura me internetin u rrit me rreth 33%, duke rritur më shumë potencialet për përdorimin e shërbimeve të bankingut nga shtëpia. Megjithatë, konsolidimi i sektorit bankar duket se po nisë të japë një efekt pozitiv në ecurinë e numrit të përgjithshëm të degëve bankare. Bankat që kanë dalë nga shitblerjet janë më të shëndetshme dhe më të orientuara për t’u zgjeruar. Pjesë e këtij zgjerimi po bëhet edhe rrjeti i degëve, pavarësisht se në epokën e teknologjisë roli i pranisë fizike është relativizuar disi. Megjithatë, Shqipëria ende nuk është ndër vendet shembull të dixhitalizimit të shërbimeve financiare, ndërkohë që ende depërtimi i degëve bankare në raport me popullsinë ngelet relativisht i ulët.
Vlerësohet se Shqipëria ka aktualisht depërtimin e dytë më të ulët të degëve bankare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me afërsisht 18.6 degë për 100 mijë banorë në moshë madhore. Në këtë renditje, Shqipëria lë pas vetëm Kosovën, me 16.2 degë për 100 mijë banorë. Mbështetur në të dhënat e Bankës Botërore për vitin 2020, Mali i Zi është shteti me numrin më të lartë të degëve bankare në raport me popullsinë, me afërsisht 38.1 degë për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Bosnje-Hercegovina me 29.9 për 100 mijë banorë, Serbia me 27.6 për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut me 23.1 për 100 mijë banorë. Përgjithësisht, në dekadën e fundit tendenca e depërtimit të degëve bankare ka qenë në rënie edhe vendet e tjera të Rajonit, në një cikël të ngjashëm me Shqipërinë.