Gjykata e Lushnjes pranoi sot kërkesën e Prokurorisë për të pezulluar nga detyra drejtoreshën dhe 15 mësues të shkollës 9-vjeçare në Çermën e Sipërme, Divjakë, rrethi Lushnje.
Shkak për këtë kërkesë të Prokurorisë është bërë regjistrimi fiktiv i nxënësve në këtë shkollë me qëllim që të mos mbylleshin klasat. Prokuroria ka provuar se në klasat ku është kërkuar pezullimi i mësuesve nga 13 nxënës që ishin normalisht, ishin regjistruar 16 apo 17 të tillë.
Një fakt i tillë u zbulua pas denoncimit që bëri në polici ish-drejtori i kësaj shkolle. Mbi stafin e shkollës rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim i dokumenteve shkollore”.
Mësohet gjithashtu se sot në ditën e parë të shkollës Drejtoria Arsimore ka zëvendësuar të gjithë stafin në këtë shkollë.